“Bujari në Amerikë, Timço në shtëpi?” – ironia që po qarkullon në platformën “X”

Vizita e fundit e ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nxitur reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale, veçanërisht në platformën “X”, kryesisht në gjuhën maqedonase.

“Po e shoh Bujarin ka shkuar në Amerikë, për dy ditë ka realizuar takime më të rëndësishme sa ka pasur Timço për dy vjet”, thuhet në një nga mbishkrimet që ka qarkulluar gjerësisht, duke e krahasuar intensitetin e agjendës së Osmanit me angazhimet e përfaqësuesve aktualë qeveritarë në arenën ndërkombëtare.

Bujar Osmani qëndroi së fundmi në Uashington DC, ku mori pjesë në National Prayer Breakfast, si dhe zhvilloi një sërë takimesh me diplomatë dhe politikanë amerikanë. Gjatë këtyre takimeve, Osmani ka ngritur disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar shqetësimet për diskriminimin institucional dhe zhvillimet politike nën qeverinë aktuale.

Vizita e Osmanit dhe mesazhet e përcjella nga Uashingtoni vijnë në një moment të ndjeshëm politik për Maqedoninë e Veriut, ndërsa reagimet në opinion tregojnë se angazhimi ndërkombëtar i aktorëve politikë vazhdon të mbetet temë debati dhe krahasimi në skenën e brendshme politike.

Back To Top