Ish-deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arben Ziberi, ka vendosur të vazhdojë rrugëtimin e tij politik përkrah Izet Mexhitit dhe koalicionit VLEN, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë nën ombrellën e partisë që për vite me radhë i ka siguruar pushtet, privilegje dhe hapësirë politike.
Kalimi i tij në VLEN, megjithatë, nuk shihet thjesht si një zgjedhje personale apo ideologjike.
Rasti i Ziberit i ngjan atij të Nevzat Bejtes, i cili më herët u largua nga BDI pasi përfitoi për vite me radhë nga pushteti lokal dhe qendror. Të dy rastet kanë një të përbashkët: largimi ndodh vetëm pasi pushteti fillon të rrëshqasë nga duart e BDI-së.
Ironia politike qëndron pikërisht këtu: ata që dje ishin shtylla të sistemit të vjetër, sot shfaqen si pjesë e “ndryshimit”. Ata që për vite heshtën, përfituan dhe mbrojtën status quo-në, tani distancohen prej saj, duke u rreshtuar me fituesin e ri politik.
