Stafi i ri akademik kundër ndryshimeve në ligjin për arsimin e lartë: Rrezikohet autonomia universitare dhe liria akademike

Ardian Stafai, duke u shprehur në emër të stafit të ri akademik, ka kritikuar ashpër ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë, duke i cilësuar ato si një kërcënim për autonominë universitare dhe lirinë akademike.

Sipas Stafait, ligji i ri nuk përfaqëson interesat e stafit të ri dhe krijon pasiguri, pabarazi dhe pengesa për zhvillimin e karrierës akademike të gjeneratave të reja. Ai thekson se sistemi favorizon struktura të vjetruara dhe hesht zërin e stafit të ri, duke e bërë të pamundur ndërtimin e një reforme reale në arsimin e lartë.

“Pa autonomi reale nuk ka liri akademike, pa liri akademike nuk ka cilësi, kërkim shkencor dhe zhvillim shoqëror. Universitetet nuk mund të funksionojnë si zgjatime administrative të pushtetit,” tha Stafai. Ai nënvizoi se autonomia universitare nuk është privilegj, por parakusht për arsimin e lirë dhe cilësor.

Stafi i ri akademik kërkon që procesi i miratimit të ligjit të bëhet me transparencë, meritokraci dhe përfshirje të të rinjve akademikë, për të siguruar që arsimi i lartë të mbetet hapësirë e dijes, debatit dhe mendimit kritik.

Back To Top