Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj letrës publike të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, drejtuar zëvendëskryeministrit Bekim Sali, duke e akuzuar për qasje shoviniste dhe mungesë argumentesh juridike në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
“E lexova Filkovin, i cili debaton me zëvendëskryeministrin Sali nëpërmjet rrjeteve sociale. Më vjen keq për ministrin Filkov. Ai është shembulli tipik i një shovinisti të vogël, i kalitur nga agjenturat e Beogradit. Problemi i tij nuk është Kushtetuta, as ligji, por mentaliteti i tij”, shkruan Ademi.
Ai thekson se ministri i Drejtësisë nuk ka asnjë argument juridik dhe po shfaqet si amator në një çështje serioze kushtetuese. “As sarkazma nuk i shkon, kur flet për z. Sali si stomatolog e politikan, ndërkohë që vetë ai, si jurist, po na shfaqet si amator me probleme serioze dhe shqetësuese”, shton Ademi.
Duke u bazuar në argumentin juridik, nënkryetari i BDI-së rikujton Ligjin për përdorimin e gjuhëve të miratuar në vitin 2018, i cili operacionalizoi për herë të parë normën kushtetuese për përdorimin e gjuhëve si normë të përgjithshme. Ai citon nenin 1, paragrafi 3 të këtij ligji, sipas të cilit gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare në të gjitha organet shtetërore, institucionet, ndërmarrjet publike dhe komisionet.
