Gjykata dënim për gazetarin Naser Selmani, reagime për rrezik ndaj lirisë së shprehjes

Gazetari dhe redaktori Naser Selmani ka njoftuar se Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Civile, me të cilin ai është shpallur fajtor për shpifje dhe fyerje ndaj një televizioni kombëtar dhe drejtorit të tij. Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se Selmani nuk ka arritur të provojë pretendimet e tij se mediat kontrollohen nga partitë dhe qeveria, si dhe se drejtori i televizionit ushtron presion ndaj gazetarëve, përcjell INA.

Padia është ngritur nga televizioni TV Kanal 5 dhe drejtori i tij Ivan Mirçevski. Gjykata nuk ka caktuar dëmshpërblim financiar, por e ka obliguar gazetarin të paguajë shpenzimet e avokatëve të paditësve dhe të publikojë një pjesë të aktgjykimit në një gazetë ditore.

Selmani ka deklaruar se vendimin nuk e sheh si çështje personale, por si një zhvillim që mund të ketë pasoja serioze për lirinë e shprehjes dhe debatin publik në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se padi të tilla përdoren shpesh si mjete presioni ndaj zërave kritikë dhe për krijimin e efektit frenues ndaj diskutimeve mbi çështje me interes publik.

Lidhur me rastin kanë reaguar Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe organizata CIVIL – Qendra për Liri, të cilat kanë shprehur shqetësim serioz për vendimin e Apelit. Nga këto organizata vlerësojnë se vendimi përbën një sinjal negativ për lirinë e shprehjes dhe mund të nxisë vetëcensurë te gazetarët dhe pjesëmarrësit në debatin publik.

Sipas reagimit, sanksionimi gjyqësor i qëndrimeve të shprehura në debat publik mbi pavarësinë e mediave dhe presionet editoriale paraqet praktikë shqetësuese dhe në kundërshtim me standardet evropiane për mbrojtjen e fjalës së lirë. Organizata dhe përfaqësues të komunitetit mediatik kanë bërë thirrje për monitorim më të afërt të rasteve të tilla dhe reagim institucional në mbrojtje të lirisë së shprehjes.(INA)

Back To Top