Irfan Buçi ka njoftuar rikthimin e tij pranë Ali Ahmetit, duke e cilësuar largimin e tij pas vitit 2021 si një gabim të bërë në një periudhë reflektimi dhe ndikimesh të gabuara.
Në një deklaratë publike, ai thekson se politika ka momente kur njeriu mund të largohet, të zhgënjehet apo të heshtë, por vjen edhe çasti kur ndjen se duhet të rikthehet aty ku beson se ideali ruhet.
“Pas vitit 2021, për fat të keq u largova nga i vërteti – Ali Ahmeti. Ishte një periudhë distance, ku u ndikova nga njerëz me prapavijë të dëmshme për mua dhe për shqiptarët,” shprehet Buçi.
Ai shton se zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po përballen shqiptarët në Maqedonia e Veriut e kanë shtyrë të mos qëndrojë më anash.
“Sot nuk është koha për heshtje. Është koha për të qenë aty ku zëri shqiptar bëhet më i fortë,” thekson ai.
Sipas Buçit, rikthimi i tij nuk lidhet me interesa personale, por me bindje politike dhe përgjegjësi ndaj momentit. “Ka momente kur secili duhet të vendosë në cilën anë qëndron. Unë zgjedh të rikthehem aty ku besoj se ideali ruhet, ku qëndresa ka kuptim dhe ku bashkimi është më i domosdoshëm se kurrë,” përfundon deklarata e tij.
