VLEN para përçarjes, Mickoskit nuk i ngutet për zgjedhje

Kryeministri Hristijan Mickoski ka dërguar sinjale të qarta se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë prioritet, duke theksuar se Qeveria është stabile dhe e fokusuar në reforma, pavarësisht tensioneve të raportuara brenda koalicionit VLEN.

Duke folur për funksionimin e ekzekutivit, ai tha se Qeveria përbëhet nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe partia ZNAM, dhe se bashkëpunimi në nivel qeveritar vazhdon pa pengesa.

Megjithatë, Mickoski la të kuptohet se brenda VLEN-it ka paqartësi dhe tensione që, sipas tij, janë çështje të brendshme të atij koalicioni. Ai theksoi se përgjegjësia për stabilitetin institucional nuk duhet të vihet në pikëpyetje për shkak të kalkulimeve politike apo mosmarrëveshjeve mes partnerëve.

“Për të shpërndarë Kuvendin formalisht nevojiten 61 deputetë. Aktualisht nuk shoh nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pritshmëritë nga qytetarët dhe nga komuniteti ndërkombëtar janë reforma, jo fushata zgjedhore”, deklaroi kryeministri.

Me këtë qëndrim, Mickoski duket se i ka bërë thirrje partnerëve që të ruajnë kohezionin dhe të shmangin përplasjet publike, duke nënvizuar se prioritet mbetet realizimi i programit qeverisës dhe jo tensionet politike brenda kampit qeveritar.

Back To Top