Zëvendëskryeministri Arben Fetai nuk e drejton më fraksionin Aleanca për Shqiptarët, i cili është pjesë e qeverisë. Në vend të tij është emëruar deputeti Ilir Demiri, i cili së fundmi la pjesën e Aleancës të udhëhequr nga Ziadin Sela për t’u bashkuar me koalicionin qeverisës.
Një zyrtar i lartë nga fraksioni për “Sloboden Pechat” konfirmoi se largimi i Fetai nga pozicioni drejtues është rezultat i mosmarrëveshjeve të brendshme, pasi Fetai ishte kundër transformimit të VLEN-it në parti dhe avokonte që pjesa e tyre e ASH-së të shëndrohet në një subjekt të ri politik, informon “tetova1”.
Ky fraksion i ASH tashmë i ka shpërbërë organet “partiake”, një veprim që së fundmi e bëri për herë të parë kreu i Besës Bilal Kasami, me qëllim bashkimin e të gjitha partive që përbëjnë koalicionin VLEN në një parti.
Nga zëvendëskryeministri Fetai është distancuar Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, si dhe deputetja Mimoza Musa, të cilët mbështesin opsionin e transformimit të VLEN-it në parti.
Fetai mbetet në fraksionin e Aleancës pas ndarjes.
Ai thuhet se ka ndryshuar mendje tani dhe pritjet janë që ai t’u bashkohet edhe anëtarëve të partisë që janë pro transformimit të VLEN-it në parti.
Në këtë drejtim, Fetai për sonte ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të strukturave të partisë. Por anëtarët e partisë, të cilët tashmë janë deklaruar se janë pro transformimit të VLEN-it në parti, thonë se Fetai tani po kërkon një mënyrë për të mbetur pjesë e aleancës dhe VLEN-it.
Fetai për median maqedonase “Sloboden Pechat” nuk u përgjigj se cilat janë qëndrimet e tij.
Keqkuptimet në këtë fraksion të Aleancës lindën pasi u intensifikua procesi i transformimit të VLEN-it në parti, pra pas ofertës nga Kasami dhe kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, që partia e ardhshme VLEN të udhëhiqet nga këta dy udhëheqës. Sipas ofertës, e cila siç është raportuar tashmë nga “Sloboden Pechat”, Kasami dhe Mexhiti do të jenë bashkëkryetarë të VLEN-it.
Plani fillestar ishte që nënkryetarët të ishin zëvendëskryeministri dhe kreu i Alternativës, Bekim Sali, dhe Arben Fetai, por pasi u grindën në Aleancë, tani propozohet Ilir Demiri si nënkryetar. Sekretari i përgjithshëm i partisë VLEN, nga ana tjetër, duhet të jetë deputeti Bekim Qoku.
Përveç Fetait, propozimi për bashkëkryetarë gjithashtu nuk u pajtua me partinë Alternativa, e cila është pjesë integrale e koalicionit VLEN. Si Fetai ashtu edhe Alternativa kanë mbrojtur gjithnjë e më shumë modelin e një presidence me rotacion me partinë e ardhshme.
