Shkup, 26 shkurt – Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, lidhur me gjuhën në të cilën duhet të mbahet provimi i jurisprudencës, duke e akuzuar për mospërputhje në deklarata dhe për shkelje të rendit juridik të vendit.
Sipas Ademit, Fillkov fillimisht kishte deklaruar se përmes provimit të jurisprudencës bëhet kontrolli i njohjes aktive të gjuhës maqedonase, duke theksuar në përgjigjen ndaj peticionit të studentëve se “kontrollimi për njohjen aktive të gjuhës maqedonase kryhet pikërisht përmes dhënies së provimeve në gjuhën maqedonase”.
Megjithatë, sipas tij, ministri së fundmi ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se “për momentin nuk ka mundësi që të jepet në gjuhë tjetër përpos maqedonishtes, sepse provimi i jurisprudencës është provim profesional, jo procedurë administrative”.
“Pra, çfarë është ky provim sipas tij, test për njohje gjuhësore apo provim profesional?”, pyet Ademi, duke shtuar se provimi i jurisprudencës është qartësisht një provim për kontrollin e njohurive profesionale të fituara gjatë studimeve universitare, të cilat shpesh janë ndjekur në gjuhën amtare.
Ai thekson se as Ligji për provimin e jurisprudencës dhe as Ligji për nëpunësit administrativë nuk përcaktojnë gjuhën në të cilën duhet të mbahet provimi, por në praktikë ai prej vitesh organizohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me rendin juridik të vendit.
Ademi rikujton se në Ligjin për nëpunësit administrativë, neni 31 parasheh njohjen aktive të gjuhës maqedonase, ndërsa neni 40 rregullon dhënien e provimit profesional, dy çështje të ndara mes vete.
“Edhe një herë po shkelet Kushtetuta dhe ligji”, thekson Ademi, duke ngritur pyetjen nëse në vend ka rend juridik funksional dhe nëse institucionet do t’i zbatojnë normat ligjore në mënyrë konsistente.
Sipas tij, ndryshimi i deklaratave nga dita në ditë lë hapësirë për dyshime se e drejta po bëhet peng i interpretimeve politike, ndërsa kërkon respektim të plotë të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të garantuara me ligj.
