Orë luksi e Struga pa ujë të pijshëm, polemika për paraqitjen e MendiQyrës

Shkup, 26 shkurt – Paraqitja e kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, me rastin e 100 ditëve të para të qeverisjes ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, por jo për raportin mbi të arriturat apo sfidat e administratës së re. Debati është fokusuar te ora që Qyra mbante në dorë gjatë paraqitjes publike, për të cilën në rrjete po qarkullojnë pretendime se mund të kushtojë mbi 150 mijë euro. Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar për markën apo vlerën reale të orës, shkruan gazeta KOHA.

Ndër reagimet më të komentuara ishte ai i avokatit nga Struga, Besnik Asani, ish-kandidat i pavarur për kryetar komune.

Ai, përmes një postimi në rrjetet sociale, e ironizoi situatën duke shkruar: “Paradoks! Për 100-ditëshin prezantohen borxhet milionshe të lëna nga administrata Merko me sahat dore që kushton miliona? Ky është edhe realiteti social tek ne”.

Asani shtoi se “struganët, që tre javë, shpenzojnë miliona euro për të blerë ujë, por dikush që ka miliona nuk e ka fare këtë brengë”, duke e lidhur çështjen me krizën aktuale të ujit në qytet.

Prej gati dy javësh, në Strugë uji i pijshëm është problematik, pasi burimi kryesor i ujësjellësit është ndotur. Autoritetet kanë bërë të ditur se uji në amvisëri nuk është i sigurt për konsum. Lidhur me rastin është ngritur padi penale ndaj personave të panjohur, ndërsa dyshimet paraprake janë se punime të një kompanie në afërsi të burimit kanë shkaktuar ndotjen e ujit që furnizon qytetin.

Nga Komuna e Strugës deri më tani nuk ka reagim zyrtar lidhur me akuzat për vlerën e orës, ndërsa debati në rrjetet sociale vazhdon, në një moment kur qyteti po përballet me një nga krizat më serioze të furnizimit me ujë në vitet e fundit.

Back To Top