Cilat janë skenarët që do ta godasin VLEN-in?

Zhvillimet e fundit brenda koalicionit VLEN po komentohen gjithnjë e më shumë në skenën politike shqiptare në vend. Analistë dhe njohës të zhvillimeve brenda këtij koalicioni vlerësojnë se tensionet dhe përplasjet e fundit mund të prodhojnë ndryshime të rëndësishme në raportet e brendshme dhe në pozicionin e tij në qeveri.

VLEN-i u krijua me mbështetjen politike të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe më pas u prezantua si një projekt politik me ambicie më të gjera kombëtare. Megjithatë, brenda koalicionit nuk kanë munguar përplasjet dhe rivalitetet mes figurave kryesore.

Sipas vlerësimeve politike, dy emra që shpesh janë nënvlerësuar në debatet publike janë Fatmir Limani dhe Arben Fetai. Njohës të zhvillimeve brenda VLEN-it thonë se ndikimi i tyre politik ka qenë më i madh sesa është paraqitur publikisht.

Në momentet më të rëndësishme për koalicionin, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare ku Fronti Europian doli përpara në vota dhe mandate, roli i Limanit dhe Fetahut konsiderohet se ka qenë kyç për të mbajtur VLEN-in në qeveri. Madje, sipas këtyre vlerësimeve, pa mbështetjen e Limanit do të kishte qenë shumë më e vështirë që VLEN-i të bëhej pjesë e ekzekutivit.

Një moment tjetër kritik ishte edhe largimi nga qeveria i Arben Taravari, i cili krijoi tronditje të mëdha brenda koalicionit. Në atë periudhë, sipas vlerësimeve politike, Arben Fetahu luajti rol të rëndësishëm në stabilizimin e situatës dhe në ruajtjen e pozicionit të VLEN-it në qeveri.

Megjithatë, sot në skenë janë shfaqur tensione të reja mes figurave kryesore të koalicionit, përfshirë Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Në këtë kontekst, disa zëra brenda dhe jashtë VLEN-it pretendojnë se kontributi i Limanit dhe Fetahut po minimizohet dhe ata po paraqiten si figura që mund të largohen nga koalicioni.

Sipas analizave politike, nëse tensionet vazhdojnë, dy skenarë duken të mundshëm.

Skenari i parë është që Fatmir Limani dhe Arben Fetahu të vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisë përmes një subjekti të ri politik, duke pasur parasysh se thuhet se kryeministri Mickoski nuk është i gatshëm t’i largojë ata nga ekzekutivi.

Ndërsa skenari i dytë parashikon një rikonfigurim të mundshëm të qeverisë, ku Mickoski mund të distancohet nga VLEN-i dhe të kërkojë bashkëpunim me Alternativa, nëse zhvillimet politike shkojnë në atë drejtim.

Back To Top