Një deklaratë e fundit e Izet Mexhiti në rrjetet sociale po interpretohet si mesazh i drejtpërdrejtë politik për bashkim, në një kohë kur skena shqiptare në vend vazhdon të jetë e fragmentuar.
Në reagimin e tij, Mexhiti thekson se për herë të parë në historinë pluraliste të Maqedonia e Veriut, shqiptarë nga spektri i djathtë dhe i majtë po bashkohen në një front të përbashkët politik brenda VLEN.
“Kjo është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që për vite kanë investuar në përçarjen e votës shqiptare… Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm”, shkruan Mexhiti.
Ai shkon edhe më tej duke dhënë një mesazh të prerë: “Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta… Ky është momenti ynë. Ose bashkë, ose të humbur.”
Kjo frazë po shihet nga shumë si një “selam” politik për figura të tjera shqiptare, përfshirë Fetain dhe Limanin, duke i ftuar në një bashkim më të gjerë opozitar. Megjithatë, Mexhiti nuk përmend emra konkretë në statusin e tij.
Me këtë qëndrim, ai synon të pozicionojë VLEN-in si një alternativë unifikuese, duke e paraqitur bashkimin si kusht të domosdoshëm për forcimin e faktorit politik shqiptar në vend.

