Diaspora shqiptare në Australi ngre alarmin: Gjuha shqipe nuk negociohet!

Komuniteti Shqiptar në Australi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Maqedonia e Veriut, duke shprehur shqetësim të thellë për pengesat dhe mosrespektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin arsimor dhe institucionet shtetërore.

Në një deklaratë publike, ata theksojnë se çdo përpjekje për të kufizuar të drejtën e studentëve shqiptarë për të studiuar dhe për t’u testuar në gjuhën amtare është e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet bazë të barazisë dhe shtetit të së drejtës. Sipas tyre, gjuha shqipe nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Reagimi vjen pas ngjarjeve të fundit që lidhen me provimet profesionale dhe të jurisprudencës, të cilat, sipas komunitetit, kanë nxjerrë në pah një problem serioz dhe të vazhdueshëm të moszbatimit të ligjeve ekzistuese. Kjo situatë po krijon padrejtësi të drejtpërdrejta ndaj studentëve shqiptarë dhe po rrezikon të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.

Komuniteti Shqiptar – Australian shpreh mbështetje të plotë për protestat e studentëve shqiptarë, duke i cilësuar ato si një zë legjitim për barazi, dinjitet dhe drejtësi. Ata u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, që të bashkohen në këtë kauzë dhe të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar.

Njëkohësisht, kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet ndërkombëtare dhe organizatat që mbikëqyrin të drejtat e njeriut. Po ashtu, u bëhet thirrje edhe Shqipëri dhe Kosovë që të ngrenë zërin dhe të ndërmarrin hapa diplomatikë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Një shtet që synon integrimin evropian nuk mund të tolerojë diskriminim gjuhësor dhe institucional ndaj qytetarëve të tij,” thuhet në reagim.

Në fund, mesazhi është i qartë dhe i prerë:

Barazia nuk negociohet. Ajo zbatohet.

Back To Top