Debati për shqipen në RMV, Iliazi: Mungon vullneti politik – VLEN s’ka forcë ta mbrojë

Çështja e përdorimit dhe institucionalizimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është rikthyer fuqishëm në qendër të debatit politik, duke nxjerrë në pah dështimet e vazhdueshme në zbatimin real të saj në institucione.

I ftuar në News24, politologu Naim Iliazi theksoi se gjuha shqipe vazhdon të mbetet një temë e ndjeshme dhe e pazgjidhur, ndërsa përpjekjet për ta bërë atë funksionale në praktikë përballen me pengesa të vazhdueshme.

Sipas Iliazit, problemi kryesor nuk qëndron tek mungesa e zgjidhjeve, por tek mungesa e vullnetit politik për t’i zbatuar ato. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se subjektet politike shqiptare, përfshirë edhe VLEN-in, nuk kanë treguar forcën dhe seriozitetin e nevojshëm për ta shtyrë përpara këtë çështje jetike.

Debati është rindezur së fundmi nga studentët shqiptarë në Fakultetin e Drejtësisë, të cilët kanë ngritur sërish shqetësimin për pamundësinë e pajisjes me licencë juristi në gjuhën shqipe. Sipas Iliazit, kjo pengesë vjen drejtpërdrejt nga Ministria e Drejtësisë, e cila vazhdon të mos e lejojë këtë të drejtë bazike për profesionistët e rinj shqiptarë.

Ai rikujtoi se probleme të ngjashme në të kaluarën, sidomos në arsim, janë zgjidhur përmes reformave konkrete, duke dëshmuar se modele ekzistojnë. Por, sipas tij, mungon vullneti dhe guximi politik për t’i zbatuar ato sot.

“Forma dhe mënyra ka, por mungojnë politikanët seriozë që ta çojnë përpara këtë proces dhe të garantojnë zbatimin real të gjuhës shqipe në institucione”, deklaroi Iliazi.

Në këtë situatë, çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në vend, ndërsa kritikat shtohen se përfaqësuesit politikë shqiptarë po dështojnë ta mbrojnë atë me forcën që kërkon realiteti.

Back To Top