Adnan Azizi në sulm ndaj Bekim Salit, por zbuloi skandalin: Qeveria me zero publikime në shqip në Gazetën Zyrtare
Përplasjet e brendshme në VLEN po nxjerrin në sipërfaqe atë që qeveria është përpjekur ta fshehë me muaj të tërë – mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Deputeti Adnan Azizi, në përpjekje për ta goditur Bekim Salin dhe për të treguar dallime brenda pushtetit, publikoi të dhëna që në fakt zbuluan një skandal shumë më të madh: Qeveria ka zero publikime në gjuhën shqipe në Gazetën Zyrtare, ndonëse kjo është obligim i qartë ligjor.
Në vend që të dëmtojë kundërshtarin e tij politik brenda VLEN-it, Azizi ekspozoi moszbatimin e ligjit nga vetë qeveria ku bën pjesë shumica që ai e mbron.
Dokumentet zyrtare që duhet të publikohen në mënyrë të barabartë në dy gjuhë, sipas ligjit, po anashkalohen. Kjo nuk mund të quhet lëshim teknik apo harresë administrative. Kjo është shpërfillje institucionale.
Ironia më e madhe është se skandali nuk u zbulua nga opozita, as nga organizatat civile, por nga vetë deputet i shumicës qeveritare në përplasjet e brendshme për ndikim dhe pozicione.
Sa më shumë që zihen mes vete, aq më shumë po dalin në shesh të vërtetat që qytetarët i shohin çdo ditë.
Nga ky konflikt i brendshëm doli të paktën një përfitim publik: u konfirmua se kjo qeveri nuk e respekton gjuhën shqipe dhe nuk i zbaton detyrimet që burojnë nga ligji.
