Saliu: Dy propozim-ligje dhe zero transparencë!
Shkup, 21 prill – Mungesa e transparencës në hartimin e dy propozim-ligjeve kyçe – për Arsimin e Lartë dhe për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat, ka nxitur reagime të forta nga komuniteti akademik.
Anëtari i Senatit dhe ish-dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Nëna Terezë”, profesor Argëtim Saliu, ka kritikuar publikisht procesin, duke e cilësuar atë si të mbyllur dhe jo në përputhje me standardet demokratike.
Në një reagim publik, Saliu thekson se në vitin 2026, një vend anëtar i NATO dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimi Evropian, nuk duhet të përballet me mungesë transparence në hartimin e ligjeve. Sipas tij, opinioni publik ende nuk ka informacion për autorët e këtyre dy nismave ligjore.
Postimi i plotë i prof.Argëtim Saliut:
Në vitin 2026, në një shtet anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende hartohen ligje në errësirë. Për Arsimin e Lartë dhe për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat, opinioni publik nuk di as kush janë autorët!
Sipas standardeve të OKB-së, transparenca është themel i qeverisjes së mirë. Por këtu? As emra ekspertësh, as proces i hapur, as llogaridhënie.
Universitetet kryesore – UT, UNT, UEJL, deklaruan se nuk kanë pasur përfaqësues në Grupin Punues për Ligjin e Arsimit të Lartë. Debati nisi dhe mbaroi pa përgjigje nga Ministria: Kush e shkroi Ligjin?!
Ndërkohë, Ligji për Përfaqësim kalon në Qeveri pa debat publik, pa autorë të njohur dhe pa mekanizma realë zbatimi. Pas heqjes së mekanizimit të Balancuesit dhe ndalimit të deklarimit etnik, ky ligj vjen pa sanksione dhe pa detyrim, thjesht një tekst deklarativ dhe pa fuqi juridike.
Pa transparencë nuk ka besim. Pa mekanizma nuk ka barazi. Pa përgjegjësi nuk ka shtet funksional.
