Këshilltari i VLEN-it në Strugë del kundër VLEN-it 

Këshilltari i VLEN nga Struga, Eugen Sheji gjatë një përballjeje me studentë në emisionin “Top Story”, ka bërë një deklaratë të drejtpërdrejtë lidhur me debatin për provimin e jurisprudencës, duke theksuar përgjegjësinë që mban pushteti për zgjidhjen e problemeve.

Ai u prezantua si pjesë e pushtetit lokal dhe politik, duke nënvizuar se nuk ka ardhur për të relativizuar çështjen apo për ta politizuar atë, por për të mbajtur qëndrim kritik. “Jam i komunës së Strugës dhe jam i partisë në pushtet… në këtë rast jam kundër tyre”, deklaroi ai, duke aluduar për qasjen institucionale ndaj problemit të studentëve.

Në një rrëfim personal, këshilltari tregoi se kishte refuzuar të vinte në Shkup gjatë protestave, me arsyetimin se si përfaqësues i pushtetit nuk duhet të shmangë përgjegjësinë. “Opozita është teori, pushteti është praktikë. Unë jam pushtet, unë duhet të zgjidh problemin”, tha ai, duke shtuar se situata kërkon veprim konkret dhe jo justifikime politike.

Duke iu referuar figurës së Arbën Xhaferi, ai theksoi mesazhin e njohur “më mirë një ligj sesa një post”, duke e lidhur me realitetin aktual politik në vend. Sipas tij, problemet e shqiptarëve në vend nuk burojnë vetëm nga faktorë të jashtëm, por edhe nga vetë përfaqësimi politik.

Ai kritikoi gjithashtu partitë shqiptare, duke i krahasuar me modele politike që, sipas tij, “qëndrojnë prapa dere”, ndërsa bëri dallim mes qasjeve të partive maqedonase, duke i cilësuar si të ndryshme në formë, por problematike në përmbajtje.

Në fund, ai përcolli një mesazh më optimist, duke rikujtuar një tjetër qëndrim të Xhaferit për potencialin e shqiptarëve. “Popull më të mençur se shqiptarët nuk ka, por ne nuk e shohim”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për më shumë vetëdije dhe mbështetje ndaj perspektivës së përbashkët

Back To Top