Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka dalë me kritika të forta ndaj ministrit Azir Aliu (Aziri), duke e akuzuar për mungesë transparence dhe rezultate konkrete në drejtimin e resorit.
Në deklaratën e tij, Taravari ka komentuar edhe zhvillimet politike rreth Arben Fetait, duke thënë se ai është gënjyer dhe mashtruar nga Adnan Azizi dhe Izet Mexhiti, ndërsa tani – sipas tij – është lënë plotësisht anash.
“Arben Fetai u gënjye dhe u rrejt nga Adnan Azizi dhe Izet Mexhiti. U përdor për interesa të caktuara politike dhe sot më nuk e përkrahin, e kanë braktisur dhe as nuk e përfillin”, deklaroi Taravari.
Ai shtoi se Fetai tashmë është lënë “në harresë politike”, duke nënvizuar se ata që dikur e afruan, sot nuk e mbështesin më dhe nuk e përfshijnë në zhvillimet politike.
Taravari theksoi se kjo qasje tregon mungesë serioziteti dhe lojaliteti në politikë, ndërsa kërkoi më shumë përgjegjësi dhe transparencë nga të gjithë aktorët, përfshirë edhe ministrin Aziri.
Në fund, ai nënvizoi se qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe se opozita do të vazhdojë të denoncojë çdo parregullsi, duke kërkuar ndryshim real në skenën politike.
