Shkruan nafie selmani:
“VLENI Një” mashtrimi i radhës pas mashtrimit të “ndryshimit”
Pas mashtrimit të madh që u shit si “ndryshim”, VLEN-i po përgatit mashtrimin e radhës, një spektakël politik “VLENI Një”. Këtë shfaqje e kanë paralajmëruar për datën 9 maj.
Por le t’ua çmontojmë që në fillim gënjeshtrën se “5 parti po bëhen 1”.
Në VLEN nuk ekzistojnë pesë parti. Aty ka 2–3 parti të vogla, dhe disa individë që nuk kanë as parti, as struktura, as anëtarësi, as mbështetje qytetare. Këta janë aty për interesa personale, për pozicione dhe kalkulime individuale, jo për ndonjë vizion të përbashkët politik.
E vërteta është se VLEN-i, në këtë formë siç ekziston sot, nuk mbahet bashkë nga parimet apo programi, por nga interesat e përkohshme. Është një “bashkim” artificial, i mbajtur në këmbë më shumë nga presioni dhe kalkulimet e pushtetit dhe nga partneri i tyre qeveritar, sesa nga bindja dhe uniteti i brendshëm.
Ngjarja e 9 majit nuk është bashkim i sinqertë. Është një shfaqje për konsum të brendshëm, për të mbajtur gjallë moralin e aktivistëve.
Por, historia e këtyre bashkimeve të improvizuara na ka mësuar se ato nuk prodhojnë stabilitet, por përçarje të reja. Pas 9 majit, disa prej këtyre figurave do të përballen me të njëjtin fat politik që kanë pasur disa të tjerë aty, si psh, Arben Fetai, margjinalizim, zhgënjim dhe dalje nga skena.
VLEN-i nuk është një organizëm i mirëfilltë politik, por është puzzle me pjesë që nuk përputhen. Dhe një puzzle që nuk bashkohet dot, nuk bëhet kurrë figurë.
