Shkup, 4 maj – Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Goce Dellçev, një nga figurat më të rëndësishme historike në rajon, lideri i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka theksuar se jeta dhe vepra e tij mbeten një udhërrëfyes i vlefshëm për klasën e sotme politike.
Ahmeti vlerësoi se Dellçevi përfaqëson simbolin e përpjekjes për liri, emancipim dhe bashkëjetesë mes popujve, duke shtuar se në kohët aktuale politika ka nevojë për më shumë vizion, maturi dhe përgjegjësi historike.
Në një mesazh përkujtimor të publikuar në rrjete sociale, ai kujtoi devizën e njohur të Dellçevit: “Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve”, duke nënvizuar se kjo filozofi mbetet aktuale edhe sot.
Ahmeti gjithashtu publikoi një fotografi të hershme të Dellçevit, ku ai shfaqet me plis të bardhë, ndërsa solli edhe përshkrimin e tij nga Pejo Javorov, i cili e portretizon si një figurë krenare dhe të pajisur me tipare të veçanta karakteri dhe paraqitjeje.
Në fund të mesazhit, Ahmeti shprehu respektin për figurën e revolucionarit, duke theksuar se kujtimi për Goce Dellçev mbetet i përjetshëm.
