EDHE NJË SKANDAL KORRUPTIV NË MEPSO: SI E ZHVAT KLANI FAMILJAR I IZET MEXHITIT MEPSO-N PËRMES AKTIVISTËVE TË VLEN-IT?

Një tjetër skandal i rëndë po trondit opinionin publik dhe hedh dyshime serioze mbi mënyrën se si menaxhohen tenderët në MEPSO. Sipas reagimeve të BDI-së, bëhet fjalë për një rrjet të organizuar favorizimi partiak dhe familjar, ku kompani të afërta me pushtetin përfitojnë kontrata me vlera të mëdha nga paratë e qytetarëve.

Në qendër të këtij rasti është kompania “Green Maintenance”, e themeluar vetëm pak javë para shpalljes së tenderit për pastrimin e korridoreve nën largpërçues. Edhe pse pa histori pune, pa përvojë të dëshmuar dhe pa kapacitete reale operative, kompania arriti të fitojë kontratë me vlerë deri në 236 mijë euro, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi kriteret dhe transparencën e procesit.

Skandali bëhet edhe më i rëndë për shkak të lidhjeve politike që përmenden në këtë rast. Njëri nga pronarët e kompanisë, Shaban Shefki, është shfaqur publikisht si aktivist dhe mbështetës i VLEN-it dhe i Izet Mexhitit. Nga ana tjetër, kontrata është nënshkruar nga drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, i cili sipas akuzave është kushëri i parë i Izet Mexhitit.

BDI rikujton se MEPSO tashmë ndodhet në qendër të kritikave publike edhe për çështjen e largpërçuesit drejt Shqipërisë, ku shteti rrezikon të paguajë miliona euro dëm. Sipas partisë, zhvillimet e fundit krijojnë dyshime për një model të vazhdueshëm të keqpërdorimit të institucioneve shtetërore për interesa partiake dhe familjare.

“Në kohën kur qytetarët po përballen me krizë ekonomike, rritje çmimesh dhe vështirësi financiare, njerëz të afërt me pushtetin hapin kompani brenda natës dhe fitojnë tenderë publikë me qindra mijëra euro”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia opozitare kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Enti Shtetëror për Revizion dhe Prokuroria që të hapin menjëherë hetim për këtë tender dhe të verifikojnë nëse pas tij qëndron një skemë e organizuar për nxjerrjen e parasë publike. Sipas BDI-së, qytetarët meritojnë institucione funksionale dhe transparente, e jo institucione të shndërruara në “arkë partiake dhe familjare”.

Back To Top