Umejr Muhamedi ka denoncuar publikisht se gjatë ditëve të fundit ka marrë kërcënime serioze përmes komenteve në rrjetet sociale, ndërsa sipas informacioneve që ka marrë nga qytetarë të ndryshëm, personat që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve janë njerëz të afërt me Izet Mexhitin.

Sipas Muhamedit, shumë persona e kanë telefonuar gjatë dy ditëve të fundit për ta njoftuar se njerëz nga rrethi i afërt i Izet Mexhitit kanë paralajmëruar se do ta rrahin dhe madje do ta vrasin.
Ai ka theksuar se nuk i njeh personalisht këta individë, por beson se institucionet kompetente, veçanërisht Ministria e Punëve të Brendshme, mund t’i identifikojnë lehtësisht.
Muhamedi ka shprehur mirënjohje për MPB-në dhe njësitë përkatëse për reagimin e shpejtë në drejtim të identifikimit të personave që kanë dërguar kërcënimet.
“Nuk fyej, nuk kërcënoj dhe nuk do të toleroj që dikush të më fyejë apo të më kërcënojë”, ka deklaruar Muhamedi.
Ai kërkon që rasti të zbardhet plotësisht dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
