Demokracitë nën Presion, Ballkani në Provë: Në një botë që ndryshon, shqiptarët duhet të drejtojnë fatin e tyre!

Bota po hyn në një rend të ri gjeopolitik. Fuqitë po ripozicionohen, kufijtë ekonomikë e strategjikë po ridefinohen, ndërsa Ballkani nuk ka luksin të mbetet vëzhgues.

Në këtë moment historik, shqiptarët duhet të jenë faktor, jo temë.

Jetojmë në një kohë kur demokracitë po testohen nga populizmi, dezinformimi dhe ndikimet gjeopolitike hibride.

Ballkani Perëndimor një vijë strategjike ku përplasen vizione të ndryshme për të ardhmen e Europës. Shqiptarët historikisht kanë qenë ndër popujt më pro-perëndimorë në rajon. Kjo nuk është rastësi. Është zgjedhje civilizuese. Sepse ne e kuptojmë se pa demokraci funksionale, pa NATO dhe pa integrim euroatlantik, Ballkani mbetet i cenueshëm.

Ne nuk kemi nevojë të jemi populli më i madh për të qenë popull relevant. Në shekullin XXI, relevanca vjen nga orientimi strategjik, kapitali njerëzor dhe aftësia për të qenë faktor stabiliteti. Në këtë vijë shqiptarëve nuk iu ka munguar potenciali, elita akademike, diplomacia, ekonomia apo diaspora globale. Ajo që na ka munguar shpesh është koordinimi strategjik kombëtar.

Të tjerët ndërtojnë politika afatgjata; ne ende harxhojmë energji në ndasi të vogla.
Popujt nuk dëmtohen gjithmonë nga armiqtë. Ndonjëherë dëmtohen nga papjekuria e atyre që marrin në dorë fatin e tyre.

Shqiptarët nuk kanë më luks për adoleshencë politike. Kanë nevojë për lidership që mban peshën e realitetit dhe di të ndërtojë procese duke ruajtur denjësisht interesin shqiptar.

Back To Top