BDI: Mexhiti e sheh çdo projekt përmes interesave private, jo interesit publik
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj akuzave të VLEN-it lidhur me projektin e autostradës Shkup–Bllacë, duke i cilësuar ato si shpifje dhe reflektim të mënyrës së të menduarit politik të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti.
Nga BDI thonë se pretendimet se reagimet e tyre për autostradën lidhen me interesa pronësore nuk kanë asnjë bazë dhe se tregojnë se si Mexhiti e percepton politikën dhe projektet publike.
“Njerëzit zakonisht gjykojnë të tjerët sipas vetes. Prandaj, kur dëgjojnë për një projekt strategjik, mendja u shkon menjëherë te parcelat, pronat dhe interesat private”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë, autostrada Shkup–Bllacë është një projekt me rëndësi strategjike për qytetarët, ekonominë dhe lidhjen me Kosovën, ndërsa akuzojnë Mexhitin se po shmang përgjegjësinë për vonesat dhe debatet që, sipas tyre, kanë rrezikuar realizimin e projektit.
BDI kërkon përgjigje se pse projekti është zvarritur për gati dy vite, pse është diskutuar ndryshimi i karakterit të tij nga autostradë në rrugë magjistrale dhe pse sot paraqitet si sukses i VLEN-it një projekt që, sipas tyre, ishte projektuar, financuar dhe nisur shumë kohë para ardhjes së kësaj force politike në pushtet.
“Nëse VLEN disponon prova për veprime të kundërligjshme, le t’i dorëzojë ato në organet kompetente. Në të kundërtën, shpifjet publike mbeten vetëm një përpjekje për të larguar vëmendjen nga mungesa e rezultateve”, theksojnë nga BDI.
Bashkimi Demokratik Për Integrim shton se do të vazhdojë të mbrojë projektet strategjike dhe interesin publik, ndërsa vlerësimin për debatet politike e lë në duart e qytetarëve.
