Mungesë gjyqtarësh, probleme financiare dhe padi nga punonjësit!

Gjykata Supreme funksionon me vetëm 14 gjyqtarë nga 28 sa parashikohen, nuk ka administrator që nga viti 2023 dhe financohet me 0,3% të PBB-së, pothuajse gjysma e minimumit ligjor. Ndërkohë, punonjësit e kanë çuar institucionin në gjykatë duke kërkuar rreth 70 mijë euro

Ersan PAJAZITI

Shkup, 16 qershor – Raporti përfundimtar i revizionit për punën e Gjykatës Supreme gjatë vitit 2024 zbulon një sërë sfidash me të cilat përballet instanca më e lartë gjyqësore në vend – nga mungesa e gjyqtarëve dhe personelit administrativ deri te kufizimet financiare dhe kontestet aktive gjyqësore me të punësuarit. Sipas Entit Shtetëror për Revizion, janë në zhvillim 28 procedura gjyqësore në të cilat Gjykata Supreme paraqitet si palë e paditur për çështje që lidhen me të drejtat dhe kompensimet nga marrëdhënia e punës. Vlera e përgjithshme e kërkesave arrin në 4.28 milionë denarë, ose rreth 70 mijë euro, ndërsa epilogu përfundimtar i këtyre rasteve ende nuk dihet. Revizorët paralajmërojnë gjithashtu për mungesë serioze të gjyqtarëve. Nga 28 vendet e parapara për gjyqtarë, në fund të vitit 2024 ishin plotësuar vetëm 11, ndërsa në maj të vitit 2025 numri ishte rritur në 14, duke përfshirë edhe kryetarin e Gjykatës. Problem shtesë paraqet fakti se Gjykata Supreme që nga shtatori i vitit 2023 funksionon pa administrator gjyqësor, gjë që sipas raportit ndikon negativisht në organizimin dhe menaxhimin e shërbimit gjyqësor. Mungesa e kuadrit është evidente edhe te policia gjyqësore.

Nga tetë vendet e parapara të punës, janë plotësuar vetëm pesë. Revizioni ka konstatuar se për shkak të kësaj janë paguar 781 orë punë jashtë orarit, mbi maksimumin ligjor të lejuar prej 190 orësh në vit për secilin të punësuar.

“Në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë në zhvillim 28 procedura gjyqësore. Gjykata paraqitet si palë e paditur në bazë të padive nga punonjës për kompensime dhe të drejta nga marrëdhënia e punës në vlerë totale prej 4.280 mijë denarëve. Meqë bëhet fjalë për procedura gjyqësore që zhvillohen para gjykatave kompetente deri në ditën e auditimit, rezultati përfundimtar i tyre nuk është i njohur, duke ekzistuar pasiguri për implikimet financiare në Buxhetin e Gjykatës Supreme në të ardhmen”, thuhet në raportin e revizionit.

Edhe pse është vërejtur një tendencë pozitive e rritjes së numrit të lëndëve të zgjidhura, auditorët paralajmërojnë se efikasiteti është i kufizuar për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Nga 28 vende gjyqtarësh të parashikuara, në fund të vitit 2024 ishin plotësuar vetëm 11, të cilat më vonë u rritën në 14. “Theksojmë se është e domosdoshme plotësimi i vendeve të lira të gjyqtarëve, të cilat sipas Vendimit të Këshillit Gjyqësor parashikohen 28 vende duke përfshirë edhe presidentin e gjykatës, ndërkohë që në fund të vitit 2024 ishin plotësuar 11 vende gjyqtarësh. Auditimi thekson se në muajin maj 2025 numri i gjyqtarëve u rrit në 14 duke përfshirë presidentin e gjykatës”, shkruajnë revizorët.

Një problem shtesë përbën edhe misfunksionimi i pozicioneve kryesore administrative. Gjykata Supreme që nga shtatori 2023 nuk ka administrator gjyqësor, gjë që ndikon drejtpërdrejt në organizimin dhe menaxhimin e shërbimit gjyqësor. Në fushën e policisë gjyqësore, auditimi konstaton se janë tejkaluar kufizimet ligjore për punën jashtë orarit. Janë paguar 781 orë mbi maksimumin vjetor të lejuar, gjë që tregon mungesë të personelit.

“Në aktin e sistematizimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në sektorin e policisë gjyqësore janë parashikuar 8 vende pune, ndërkohë që janë plotësuar 5 vende pune: komandant, komandirë, zëvendëskomandirë dhe 2 punonjës policë gjyqësorë. Me shqyrtimin e dokumentacionit konstatuam se janë paguar orë pune jashtë orarit me të cilat është tejkaluar maksimumi i parashikuar prej 190 orësh në vit për punonjës, respektivisht janë paguar 781 orë mbi numrin maksimal të parashikuar të orëve të punës jashtë orarit”, thuhet në raport. Pavarësisht mungesës së policëve gjyqësorë, Gjykata ka dërguar njoftim tek këshilli buxhetor gjyqësor se kapaciteti i personelit të policisë gjyqësore është i mjaftueshëm për kryerjen e detyrave. Vërejtje serioze ka edhe për financimin e sistemit gjyqësor. Buxheti për pushtetin gjyqësor në vitin 2024 ishte vetëm 0,3 për qind e PBB-së, gjë që është dukshëm nën minimumin e caktuar me ligj. Për më tepër, me rishikimin e buxhetit u ulën mjetet për gjyqësinë, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Mjetet që ndahen nga Buxheti për vitin 2024 për financimin e Pushtetit Gjyqësor nuk e arrijnë përqindjen e caktuar me ligj prej 0,8% të produktit të brendshëm bruto të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht mjetet e aprovuara në vlerë prej 2.647.694 mijë denarëve përfaqësojnë 0,3% të PBB-së”, thuhet në raport.

Revizioni paralajmëron se kjo gjendje mund të rrezikojë pavarësinë dhe stabilitetin e pushtetit gjyqësor, si dhe të ngadalësojë zbatimin e reformave. Revizorët konstatojnë se pasqyrat financiare të Gjykatës Supreme janë objektive dhe të sakta, por theksojnë se janë të nevojshme masa urgjente për forcimin e kapaciteteve të personelit dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm. Çështjet e mbuluara nga Raporti Draft u diskutuan në takimin përfundimtar me drejtësinë dhe personat përgjegjës të subjektit Gjykata Supreme, mbajtur më 30.03.2026 dhe 03.04.2026, të cilët dhanë komentet dhe shpjegimet e tyre. Nga personi përgjegjës i Gjykatës Supreme nuk u morën vërejtje mbi Raportin Draft të Revizionit Shtetëror të autorizuar.

Back To Top