Kuvendi themelues i partisë së re politike që doli nga koalicioni VLEN është shoqëruar me mungesa të dukshme të disa figurave që konsiderohen ndër themeluesit e Lëvizjes Demokratike (LD), partisë së udhëhequr nga Izet Mexhiti.
Burime brenda VLEN-it, që folën për redaksinë tonë në kushte anonimiteti, bëjnë të ditur se në ngjarjen e sotme nuk kanë marrë pjesë disa prej themeluesve dhe aktivistëve të hershëm të LD-së, ndërsa kanë munguar edhe figura të tjera të njohura të koalicionit.
Sipas të njëjtave burime, mungesa e tyre nuk ka qenë e rastësishme, por është interpretuar si formë pakënaqësie dhe revolte ndaj mënyrës së funksionimit të strukturave drejtuese, veçanërisht ndaj pretendimeve për nepotizëm dhe favorizim familjar në emërimet dhe avancimet brenda institucioneve të udhëhequra nga kuadrot e VLEN-it.
Burimet pohojnë se një pjesë e anëtarësisë dhe funksionarëve lokalë ndihen të anashkaluar, ndërsa vendimmarrja, sipas tyre, po përqendrohet në një rreth të ngushtë njerëzish të afërt me drejtuesit e koalicionit.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga VLEN lidhur me pretendimet për bojkot të organizuar apo për pakënaqësitë e ngritura nga burimet e brendshme.
Kuvendi i sotëm u prezantua nga drejtuesit e koalicionit si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të subjektit të ri politik, por mungesa e disa figurave të njohura ka nxitur spekulime për tensione dhe pakënaqësi brenda strukturave të tij.
