FATMIR LIMANI: OPOZITA U PASTRUA NGA BRENDA, QELBI PËRFUNDOI NË FYTYRËN E PUSHTETIT

Shkup, 22 qershor – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka publikuar një status me një mesazh të fortë politik, në të cilin vlerëson transformimin e opozitës së dikurshme dhe kritikon mënyrën se si po ushtrohet pushteti pas ndryshimit të shumëpritur.

“Në emër të ndryshimit u m’posht ‘kasta’ e vjetër, pastaj filloi shpërblimi i ‘kokave’ të shërbimit në emër të votuesit të heshtur”, shkruan Limani.

Por pjesa më domethënëse e mesazhit të tij është metafora me të cilën përshkruan raportin mes opozitës së dikurshme dhe pushtetit të sotëm.

“Sikur opozita me mjeshtëri të kishte pastruar çibanin e vet dhe qelbi të ishte spërkatur në fytyrat e pushtetarëve të dështuar”, shkruan ai.

Mesazhi i Limanit interpretohet si një vlerësim se opozita, përmes një procesi të brendshëm përballjeje me problemet dhe dobësitë e veta, arriti të largojë barrën që e pengonte, ndërsa pas marrjes së pushtetit, të njëjtat dukuri që kritikoheshin filluan të shfaqen tek qeverisësit e rinj.

Deklarata është veçanërisht e rëndësishme pasi vjen nga një prej figurave më të njohura të kampit që premtoi ndryshim politik në bllokun shqiptar dhe nga një funksionar aktual qeveritar.

Statusi ka nxitur reagime të shumta në opinion, pasi shumë komentues e kanë lexuar atë si një pranim të hapur se pritjet për ndryshim po përballen me zhgënjim për shkak të praktikave që po shfaqen në pushtet.

Mesazhi i Limanit përmbyllet me hashtagun “#ZgjedhjePërZgjidhje”, duke lënë të hapur debatin nëse ai po paralajmëron nevojën për një korrigjim të kursit politik apo një reflektim më të thellë mbi mënyrën se si po qeveriset sot.

Back To Top