Pse e lanë vetëm Daut Beqirin? Bilalli, Azizi dhe Mexhiti munguan në 25-vjetorin e Haraçinës

Manifestimi për shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Haraçinës, i organizuar nga kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, është zhvilluar sot në prani të qytetarëve, veteranëve dhe përfaqësuesve institucionalë. Megjithatë, ajo që ka tërhequr më së shumti vëmendjen nuk ka qenë vetëm përkujtimi i ngjarjes historike, por mungesa e figurave kryesore të koalicionit VLEN.

Në një ngjarje me peshë simbolike dhe historike për shqiptarët, nuk janë parë liderët kryesorë të VLEN-it. Mungoi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, në krahun politik të të cilit konsiderohet se bën pjesë edhe vetë Daut Beqiri. Po ashtu, nuk ishte i pranishëm as Bilall Kasami, një nga figurat kryesore të koalicionit, si dhe Adnan Azizi, i cili shpesh është paraqitur si një nga zërat më aktivë të VLEN-it për çështjet kombëtare dhe historike.

Mungesa e tyre ka ngritur pikëpyetje në opinionin publik dhe në rrjetet sociale. Pse drejtuesit e VLEN-it nuk morën pjesë në një përvjetor kaq të rëndësishëm? A bëhet fjalë për mospajtime të brendshme, neglizhencë politike apo për një mesazh të heshtur ndaj Daut Beqirit?

Ndërkohë, vëmendjen në këtë manifestim e mori ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili mbajti një fjalim kushtuar sakrificës së luftëtarëve të Haraçinës dhe rëndësisë së lirisë. Prania e tij u komentua gjerësisht, sidomos në kontrast me mungesën e drejtuesve të koalicionit shqiptar në pushtet.

Edhe pse deri tani nuk ka ndonjë shpjegim zyrtar për mungesën e tyre, pyetja mbetet: pse në një ditë që duhej të simbolizonte unitetin dhe respektin për sakrificën e Haraçinës, Daut Beqiri u la pa mbështetjen publike të figurave kryesore të VLEN-it?

Back To Top