🔴 BDI nesër në protestë për shfuqizimin e emrave të rrugëve në Tetovë, vendimin e solli vetë në 2007 ndërsa VLEN nuk e parandaloi gjykatën

Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar ka thirrur protestë për nesër (26 qershor) në sheshin e Tetovës. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin i shfuqizoi emrat e rrugëve të vitit 2007, pasi BDI-ja aso kohe kur ishte në pushtet e kishte miratuar vendimin pa pëlqim të qeverisë siç e kërkon ligji, ndërkaq lidershipi aktual komunal i udhëhequr nga VLEN edhe pse mundi, nuk ndërmori asnjë veprim për ta parandaluar shfuqizimin nga gjykata, shkruan Portalb.mk.

Marshi protestues do të fillojë në ora 20:00 në sheshin e qytetit.

Bajram Rexhepi nga BDI ka njoftuar se ky vendim u mor mbrëmë, siç thotë pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës së tyre për seancë urgjente ku kërkuan rimiratim të vendimit për emrat e rrugëve dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit. Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë”, tha Rexhepi.

Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk se pse nuk thërrasin seancë të jashtëzakonshme siç kanë kërkuar nga opozita, pse nuk reaguan gjatë kohës kur gjykata hapi lëndë që të miratonin vendim në bazë të ligjit në mënyrë që gjykata të mos mundej ta shfuqizonte vendimin, si dhe kur do të përfundojë procesi i riemërimit të rrugëve i cili po zvarritet me vite.

Paraprakisht, nga Komuna e Tetovës kanë deklaruar se çështja edhe e emrave të shfuqizuar do të zgjidhjet me procesin i cili ka filluar në komunë tani e disa kohë, por pa dhënë ndonjë afat konkret, sipas tyre pritet që kjo të zgjidhet brenda këtij viti, por pa e specifikuar se kur.

Kronologjia e ngjarjes

Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.

Gjithçka nisi në 2007

Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.

Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:

  • Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
  • Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
  • Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
  • Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
  • Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
  • Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
  • Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
  • Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
  • Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.

Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.

Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.

Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.

Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.

Back To Top