Selimi: Deklarata e Kostadinovskit tregon se vendimi për Ligjin për Gjuhët është parapërcaktuar

Sefer Selimi ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili gjatë një interviste në Sitel tha: “Do t’i pëlqejë dikujt apo jo, Ligji për Gjuhët do të zgjidhet.”

Sipas Selimit, kjo nuk është një deklaratë e zakonshme, por një sinjal se vendimi për Ligjin për Gjuhët është parapërcaktuar. Ai vlerëson se një qasje e tillë ngre pikëpyetje serioze për perceptimin e paanshmërisë së institucionit që pritet të vendosë për një çështje kaq të ndjeshme.

Selimi thekson se marshi i paralajmëruar në Tetovë nuk duhet parë si një aktivitet partiak, por si një reagim qytetar ndaj, sipas tij, tendencave për cenimin e të drejtave të fituara dhe dinjitetit të shqiptarëve.

Ai u bën thirrje qytetarëve që, pavarësisht bindjeve politike, të marrin pjesë në marsh dhe të shprehin qëndrimin e tyre për mbrojtjen e Ligjit për Gjuhët, duke theksuar se reagimi qytetar është i rëndësishëm në momente të tilla.

Back To Top