Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka pritur në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë veteranin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, ish-ushtarin dhe ish-të burgosurin politik, Selver Jasharin.
Takimi u bë i ditur nga vetë ambasadori përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai shprehu vlerësimin e lartë për jetën dhe veprimtarinë e Jasharit, duke e cilësuar atë si një nga ata njerëz që historinë nuk e kanë lexuar vetëm, por e kanë jetuar me sakrificë.
“Ka njerëz që nuk e lexojnë historinë, por e jetojnë atë. Jeta e Selver Jasharit është dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe përkushtimit ndaj idealit kombëtar. Liria, dinjiteti dhe identiteti nuk janë dhënë, por janë fituar me shumë mund”, ka shkruar Meidani.
Ambasadori theksoi se kontributi i Selver Jasharit përfaqëson frymëzim për brezat e sotëm dhe mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës kombëtare.
Në përfundim të mesazhit të tij, Meidani shprehu mirënjohje për angazhimin shumëvjeçar të veteranit, duke nënvizuar respektin për një brez që, sipas tij, zgjodhi të mos heshtte kur historia e thirri.
“Mirënjohje për kontributin dhe respekt për një brez që, kur historia e thirri, zgjodhi të mos heshtte”, përfundoi ambasadori.
