Shkup, 27 qershor – LSDM akuzon se kryeministri Hristijan Mickoski tashmë ka nisur përgatitjet për krijimin e një subjekti të ri politik satelit, pasi, sipas tyre, ZNAM po shuhet dhe nuk funksionon më si forcë politike.
Sipas reagimit të LSDM-së, në ZNAM kanë mbetur vetëm Goran Minçev dhe Maksim Dimitrievski, të cilët po përballen mes vete për pozita, ndërsa partia po humbet rolin që kishte në skenën politike. Për këtë arsye, opozita pretendon se Mickoski po kërkon një zëvendësues të ri për ta përdorur në funksion të interesave të tij politike.
LSDM vlerëson se bëhet fjalë për të njëjtën strategji të përdorur edhe më parë nga VMRO-DPMNE, përmes krijimit të subjekteve politike që, sipas tyre, synojnë dobësimin e opozitës dhe fragmentimin e votës.
Partia opozitare thekson se rënia e mbështetjes për VMRO-DPMNE dhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisjes së Mickoskit po e shtyjnë atë të mendojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa krijimi i një sateliti të ri politik shihet si përpjekje për të ruajtur pushtetin.
“Nuk po krijohet një alternativë e re politike, por një mekanizëm i ri për kontrollin e procesit zgjedhor dhe ndarjen e votës opozitare, njësoj siç ndodhi me ZNAM-in. E njëjta skemë nuk do të ketë sukses për herë të dytë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
