SHKUP – Aktivisti Yll Paçuku njoftoi se, së bashku me Sheval Baftiun, kanë pastruar shkaravitjet që ishin bërë mbi mbishkrimin në gjuhën shqipe në tabelën e Muzeut Natyroro-Shkencor në Shkup.
Sipas Paçukut, ky ishte një veprim simbolik kundër urrejtjes dhe vandalizmit, me mesazhin se gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, nuk mund të fshihet me shkaravitje.
“Në qytetin tonë, në botëkuptimet tona dhe në jetën tonë nuk ka vend për urrejtje dhe vandalizëm. Gjuha shqipe është zyrtare në këtë vend. Na respektoni që t’ju respektojmë”, shkroi Paçuku.
Ai theksoi se, ndonëse tabela ishte shkaravitur, mbishkrimet në gjuhën shqipe u pastruan, duke dërguar mesazhin se respekti për gjuhët zyrtare dhe për hapësirat publike duhet të mbizotërojë mbi aktet e vandalizmit.
“Ne e bëmë tabelën shqip, ata e shkaravitën, ne e pastruam. Shqipja është këtu dhe nuk ikën me shkaravitje”, përfundoi Paçuku.
