Këta janë emrat që përfliten për kabinetin e ri qeveritar

Rikonstruksioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pritet të hyjë sonte në fazën përfundimtare. Edhe pse vendimet ende nuk janë zyrtarizuar, burime politike dhe raportime mediatike bëjnë të ditur se tashmë është përcaktuar ndarja e resorëve dhe emrat që pritet të marrin drejtimin e ministrive.

Sipas informacioneve jozyrtare, VMRO-DPMNE pritet të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, VLEN me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrinë e Kulturës, ndërsa ZNAM me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Jozyrtarisht, për ministër të ri të Shëndetësisë përflitet Sasho Klekovski, i cili aktualisht drejton Fondin për Sigurim Shëndetësor. Për Ministrinë e Drejtësisë përmendet emri i profesorit universitar Jeton Shasivari, ndërsa Gjoko Velkovski është kandidati kryesor për Ministrinë e Politikës Sociale.

Sipas të njëjtave burime, Borçe Serafimovski pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa Bekim Sali pritet të vazhdojë të ushtrojë detyrën si ministër për Çështje Evropiane. Ndryshime priten edhe në Ministrinë e Kulturës, megjithëse emri i ministrit të ri ende nuk është bërë i ditur.

Procedura pritet të vazhdojë me miratimin e propozimeve nga organet partiake dhe më pas me dorëzimin e tyre në Kuvend, ku ministrat e rinj do t’i nënshtrohen votimit.

Kujtojmë se deri në publikimin e vendimeve zyrtare, të gjitha emrat dhe ndarja e resorëve mbeten në nivel jozyrtar. Burimi i këtyre informacioneve është Ontarget.mk.

Back To Top