Selami ka reaguar ashpër ndaj propozimeve për ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit, duke akuzuar deputetët se po tradhtojnë premtimin me të cilin kërkuan besimin e qytetarëve.
Sipas tij, qytetarëve iu premtua mbyllja e kazinove, bastoreve dhe kredive të shpejta, ndërsa sot në Kuvend po mbështetet vetëm dislokimi i tyre ose largimi 500 metra nga shkollat, gjë që, sipas Selamit, përbën mashtrim ndaj votuesve.
“Ky është mashtrim ndaj qytetarëve. Ligjin për lojërat e fatit, të cilin dikur e bllokonit, sot e votoni. Mos luani me besimin e popullit”, theksoi ai.
Selami u bëri thirrje të gjithë deputetëve që kanë marrë votën e qytetarëve të bashkohen dhe të miratojnë një zgjidhje që do të çojë në mbylljen e plotë të lojërave të fatit, e jo vetëm në zhvendosjen e tyre.
Ai solli si shembull Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar se të dyja vendet kanë ndërmarrë hapa për mbylljen e lojërave të fatit, pa pasoja për buxhetin e shtetit.
“Nuk na duhet dislokim, por mbyllje përfundimtare e lojërave të fatit. Ky ishte premtimi që qytetarët votuan dhe ai duhet të mbahet”, përfundoi Selami.
