BDI: “Master Plani” u shndërrua në përmbytje – Kërkohet dorëheqja e mexhitit në Çair
BDI ka reaguar ashpër pas përmbytjeve që përfshinë Çairin, duke vlerësuar se situata e krijuar pas vetëm një ore reshjesh intensive është dëshmi e dështimit të qeverisjes lokale dhe jo një fatkeqësi natyrore.
Në konferencën për media, BDI theksoi se rrugët u shndërruan në lumenj, shtëpitë u përmbytën dhe qytetarët mbetën të bllokuar, ndërsa e gjithë komuna u paralizua. Sipas tyre, kur një komunë përmbytet pas një ore shi, problemi nuk është moti, por mungesa e planifikimit, investimeve dhe menaxhimit të infrastrukturës.
Nga BDI u rikujtua edhe premtimi për “Master Planin” e Çairit, duke pyetur se ku ka mbetur ai projekt. Sipas tyre, qytetarët nuk kanë parë asnjë strategji serioze për kanalizimin atmosferik dhe as investime të mjaftueshme në infrastrukturën nëntokësore.
“Në vend të Master Planit, qytetarët panë master të korrupsionit, master të keqmenaxhimit, master të betonizimit pa plan, master të ndërtimeve pa infrastrukturë dhe master të propagandës”, u tha në konferencë.
BDI vlerëson se përmbytjet nuk janë një rastësi, por pasojë e viteve të neglizhencës dhe mungesës së vizionit. Për këtë arsye, partia kërkoi përgjegjësi politike dhe morale, duke i bërë thirrje kryetarit të Komunës së Çairit të japë dorëheqje.
Sipas BDI-së, qytetarët e Çairit meritojnë një komunë funksionale, e cila nuk përmbytet sa herë që ka reshje intensive.
