Osmani: Mashtruan për trasenë e Bllacës, humbën dy vite pa bërë asgjë
Bujar Osmani ka reaguar lidhur me autostradën Shkup–Bllacë, duke thënë se për dy vite qytetarëve u është thënë se projekti ishte bllokuar për shkak të ndryshimit të trasesë, ndërsa nënshkrimi i kontratës tregon se nuk është ndryshuar as edhe një milimetër nga projekti fillestar.
“Për dy vjet na thanë se autostrada Shkup–Bllacë ishte bllokuar sepse po ndryshohej trasa. Sot, me nënshkrimin e kontratës, del qartë se nuk është ndryshuar as edhe një milimetër nga traseja e projektit që ne lamë të përgatitur”, është shprehur Osmani.
Ai theksoi se financimi për projektin kishte qenë i siguruar, projekti ishte përfunduar, shpronësimet ishin realizuar dhe procedurat e tenderimit kishin nisur, duke shtuar se të gjitha parakushtet për realizimin e autostradës kishin qenë të përmbushura.
Sipas Osmanit, dy vite u humbën duke u justifikuar me një “ndryshim traseje” që, siç u shpreh ai, nuk ka ekzistuar kurrë.
Në fund, ai parashtroi pyetjen: “Qytetarët meritojnë një përgjigje të thjeshtë: Pse u humbën dy vite?”
