“Historia nuk abrogohet!” – Thirrje për protestë mbarëkombëtare në Tetovë kundër rikthimit të emërtimeve të vjetra

Tetovë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) u ka bërë thirrje qytetarëve nga mbarë vendi që t’i bashkohen protestës mbarëkombëtare kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e emërtimeve të vjetra të rrugëve në Tetovë, përfshirë edhe emrin “Marshall Tito”.

Sipas BDI-së, protesta nuk është vetëm e partisë, por e çdo qytetari që nuk pajtohet me një vendim që, sipas tyre, pas 19 vitesh shfuqizon një akt të miratuar me konsensus ndërmjet bashkësive etnike dhe që ka prodhuar pasoja juridike e faktike për gati dy dekada.

Në reagim thuhet se Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin pa e vërtetuar plotësisht gjendjen faktike dhe pa e shqyrtuar dokumentacionin e plotë të Komunës së Tetovës nga periudha kur ishte miratuar vendimi për emërtimet e rrugëve.

BDI fton qytetarët të marrin pjesë në protestën që do të mbahet të shtunën, më 11 korrik 2026, në ora 20:00, me nisje nga Sheshi Iliria deri te Komuna e Tetovës.

Protesta do të zhvillohet me moton: “Mos e lë pa dalë! Historia nuk abrogohet! Edhe rrugët flasin shqip!”

Back To Top