Pjesëmarrja e delegacionit shtetëror të Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s ka nxitur reagime, pasi në përbërjen e tij nuk figuron asnjë përfaqësues qeveritar shqiptar, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin e parë për çështje europiane Bekim Sali dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes Admir Shabani.
Mungesa e ministrave apo zyrtarëve shqiptarë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të Aleancës është cilësuar nga kritikët si një sinjal shqetësues për pozitën dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Sipas tyre, kjo situatë vë në pikëpyetje premtimet për përfaqësim të barabartë dhe rol vendimmarrës të shqiptarëve në qeveri. Ata theksojnë se përfaqësimi në forume ndërkombëtare të sigurisë nuk është çështje protokolli, por pasqyrim i peshës politike që komunitetet kanë në institucionet e shtetit.
Kritikat janë drejtuar veçanërisht ndaj koalicionit VLEN, si dhe ndaj zëvendëskryeministrit të parë për çështje europiane Bekim Sali dhe zëvendësministrit të Mbrojtjes Admir Shabani, të cilët akuzohen për këtë akt skandaloz dhe për lejimin e një përfaqësimi të tillë në delegacionin zyrtar. Sipas kritikëve, mungesa e një përfaqësuesi shqiptar në Samitin e NATO-s dëshmon të kundërtën dhe ngre pikëpyetje për rolin real të partnerëve shqiptarë në ekzekutiv.
