Fotografia nga Samiti i NATO-s në Ankara ka nxitur reagime të shumta, pasi në delegacionin zyrtar të Maqedonisë së Veriut nuk shihet asnjë përfaqësues shqiptar. Një pamje që, sipas kritikëve, simbolizon rënien e rolit të shqiptarëve në institucionet shtetërore nën qeverisjen ku bën pjesë VLEN.
Për vite me radhë, përfaqësuesit shqiptarë ishin pjesë e delegacioneve shtetërore në takimet më të rëndësishme ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vendimmarrje dhe duke përfaqësuar shtetin në forumet e NATO-s. Sot, sipas kritikëve, kjo peshë politike është zbehur ndjeshëm.
Ironia, thonë ata, është se bëhet fjalë për një samit ku në qendër të diskutimeve janë siguria, mbrojtja dhe sfidat gjeopolitike – fusha në të cilat shqiptarët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve të sigurisë dhe në rrugën euroatlantike të vendit.
Kritikët pyesin se ku mbetën premtimet e VLEN-it për përfaqësim dinjitoz dhe rol vendimmarrës të shqiptarëve. Sipas tyre, fotografia nga Ankara është dëshmi e një realiteti të ri, ku shqiptarët, në vend që të jenë pjesë e delegacioneve në nivelet më të larta, mungojnë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të Aleancës.
