Mevlan Ademi ka reaguar ndaj vonesave për mundësimin e provimit profesional për juristët në gjuhën shqipe, duke akuzuar institucionet se kanë kaluar nga premtimet për zgjidhje të shpejtë në pritje prej mbi gjashtë muajsh.
“Na premtuan zgjidhje për një javë, ndërsa tani flitet për 6+ muaj. Ndërkohë gjenerata të tëra juristësh po diplomohen pa mundësinë ta japin provimin në gjuhën e tyre”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka kundërshtuar edhe propozimin për një provim gjysmë në shqip e gjysmë në maqedonisht, duke theksuar se një zgjidhje e tillë nuk përmbush kërkesën për barazi gjuhësore.
“Gjysmë provimi nuk është gjysmë e drejtë – është e drejtë e mohuar”, ka thënë Ademi, duke kërkuar zbatim të plotë të Ligjit për Gjuhët dhe organizimin e provimeve tërësisht në gjuhën shqipe.
Sipas tij, çdo vonesë shtesë prek drejtpërdrejt të rinjtë shqiptarë që presin të avancojnë në profesionin juridik.
