EKSKLUZIVE: OnTarget mëson vendimin e Tiranës për ndalimin e Qokut, Azizit dhe Murtezanit: “Cenim i interesave kombëtare shqiptare”
OnTarget ka siguruar informacione nga burime kredibile mbi arsyetimin e vendimit me të cilin autoritetet shqiptare ua ndaluan hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë deputetëve Bekim Qoku dhe Adnan Azizi, si dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani.
Sipas burimeve tona, në vendimin e autoriteteve shqiptare si bazë për ndalimin e hyrjes është shënuar formulimi: “Cenim i interesave kombëtare shqiptare.”
Tre zyrtarët u ndaluan sot në pikën kufitare të Qafë Thanës gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri. Pas rreth një ore pritjeje, ata u njoftuan se ndaj tyre ishte vendosur masa e ndalimit të hyrjes dhe më pas u kthyen.
Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar një njoftim zyrtar mbi arsyet e këtij vendimi. Megjithatë, burimet e OnTarget pohojnë se arsyetimi zyrtar i evidentuar në vendim është “cenim i interesave kombëtare shqiptare.”
OnTarget do të vijojë të ndjekë këtë zhvillim dhe do të publikojë detaje të reja sapo ato të konfirmohen.
