Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të mbajë sot seancën e 112-të, ku në rend dite është rikonstruimi i Qeverisë përmes shkarkimit dhe emërimit të disa ministrave.
Sipas propozimit të dorëzuar, Jeton Shasivari (VLEN) pritet të emërohet ministër i Drejtësisë, duke zëvendësuar Igor Filkov.
Ndryshime do të ketë edhe në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Ivan Stoilkoviq do të lirohet nga kjo detyrë dhe do të propozohet për ministër të Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa në vend të tij në këtë dikaster pritet të emërohet Agon Ferati (VLEN).
Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, do të shkarkohet dhe pritet të marrë drejtimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor. Në Ministrinë e Shëndetësisë, Sasho Klekovski propozohet të zëvendësojë Azir Aliun.
Ndryshime janë paraparë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ku Borçe Serafimovski (ZNAM) propozohet të marrë postin nga Cvetan Tripunovski.
Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski (VMRO-DPMNE) pritet të zëvendësojë Fatmir Limanin, ndërsa në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani (VLEN) propozohet në vend të Zoran Ljutkovit.
Po ashtu, Erxhan Demir (VMRO-DPMNE) është propozuar për ministër pa resor, në vend të Shaban Saliut.
Gjatë seancës, kryeministri Hristijan Mickoski pritet të paraqesë arsyetimin për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Sipas Rregullores së Kuvendit, për secilin propozim për shkarkim zhvillohet debat, ndërsa ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Pjesë e rikonstruimit është edhe shfuqizimi i funksionit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Qeverisje të Mirë. Këto kompetenca do të kalojnë te një përfaqësues nga Kabineti i kryeministrit, ndërsa emërimi i zëvendësministrave është paralajmëruar për muajin shtator.
