Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj emërimit të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut (RTVM), duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në konkurs.
Sipas BDI-së, personi i emëruar nuk i plotëson kushtet ligjore dhe nuk ka përvojën e nevojshme profesionale, ndërsa ky veprim paraqet vazhdim të politizimit dhe kapjes së servisit publik nga koalicioni VMRO-VLEN.
Partia thekson se është e papranueshme që në një institucion publik mediatik të emërohen drejtues pa përvojë në gazetari dhe pa kualifikimet e kërkuara, duke e cilësuar këtë si degradim të standardeve profesionale dhe nënçmim të gazetarëve me përvojë në RTVM.
BDI i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të hapin urgjentisht procedurë hetimore për këtë rast dhe të verifikojnë përgjegjësinë penale dhe administrative të të gjithë personave të përfshirë në procesin e emërimit.
