Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “përfunduar spastrimin etnik të Kosovës”.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani e cilësoi këtë si një nga deklaratat më të rënda të bërë nga një zyrtare shtetërore serbe në vitet e fundit, duke theksuar se ajo përbën glorifikim të një politike gjenocidale dhe shprehje pendese që spastrimi etnik i Kosovës nuk u realizua plotësisht.
Ai kritikoi edhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se nuk ka kredibilitet të dënojë deklarata të tilla, ndërkohë që, sipas tij, vazhdon të mbajë në kabinet zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq, të cilin e akuzon për relativizim të gjenocidit të Srebrenicës, promovim të politikave të Millosheviqit dhe të projektit të “Botës Serbe”.
“Nuk mund ta dënosh Millosheviqin me një status në Facebook, ndërsa të qeverisësh me ata që relativizojnë gjenocidin dhe promovojnë të njëjtën ideologji”, shkruan Osmani në reagimin e tij.
