BDI Çair: Parqet publike nuk janë biznes privat i funksionarëve të VLEN-it!
Dega e BDI-së në Çair ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së një objekti komercial në një hapësirë publike në një prej parqeve të pakta të komunës, duke akuzuar një drejtor të emëruar nga VLEN për uzurpim të pronës publike.
Nga BDI Çair thonë se përpjekjet për ta paraqitur këtë si “gjallërim” të parkut nuk mund ta fshehin, siç shprehen ata, thelbin e çështjes.
“Parqet gjallërohen me investime për qytetarët, jo me privatizimin e tyre në interes të funksionarëve partiakë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas tyre, edhe më shqetësuese është heshtja e Komunës së Çairit, e cila, në vend që të mbrojë pronën publike dhe të sigurojë zbatimin e ligjit, po toleron këtë situatë.
BDI Çair kërkon publikimin e menjëhershëm të të gjitha lejeve dhe dokumentacionit për objektin, duke paralajmëruar se në rast se nuk ekzistojnë lejet përkatëse, objekti duhet të largohet menjëherë.
“Prona publike u takon qytetarëve, jo funksionarëve të VLEN-it”, përfundon reagimi.
