Pa shqip, pa Çarshi, pa xhami, pa trashëgimi shqiptare – Osmani reagon ashpër ndaj kryetarit të Qytetit të Shkupit

Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj billboardit të vendosur nga autoritetet e Qytetit të Shkupit, duke e cilësuar paraqitjen e kryeqytetit si të njëanshme dhe përjashtuese.

Sipas Osmanit, në billboardin me të cilin Shkupi u uron mirëseardhje vizitorëve mungon plotësisht gjuha shqipe, ndonëse kryeqyteti është dygjuhësh. Ai thekson se janë paraqitur vetëm disa simbole, si Kryqi i Vodnos dhe Buqefali, ndërsa mungojnë Çarshia e Vjetër, Kalaja, xhamitë dhe elemente të tjera që, sipas tij, përfaqësojnë trashëgiminë shqiptare, islame dhe osmane të qytetit.

Osmani vlerëson se një paraqitje e tillë përjashton një pjesë thelbësore të historisë, kulturës dhe realitetit të sotëm të Shkupit, duke e cilësuar atë si të papranueshme.

Ai u bëri thirrje autoriteteve të Qytetit të Shkupit që ta largojnë menjëherë billboardin dhe të sqarojnë publikisht se kush e ka miratuar këtë paraqitje, të cilën ai e konsideron të njëanshme dhe diskriminuese ndaj një pjese të qytetarëve të kryeqytetit.

Back To Top