Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar atë si një kërcënim për balancën e vendosur me Marrëveshjen e Ohrit.
Osmani në intervistën e fundit për televizionin Sitel theksoi se, çështja nuk lidhet vetëm me shqiptarët, por me vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar modeli funksional i shtetit pas vitit 2001.
“Arsyeja kryesore pse u soll ky mekanizëm ishte që të mos ketë mbivotim, veçanërisht për ndryshimet që lidhen me çështje të rëndësishme. Ndërsa tani, për çështjen më të rëndësishme – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat – po përpiqen ta anashkalojnë ligjin dhe ta miratojnë sipas vullnetit të tyre”, deklaroi Osmani.
Ai e cilësoi ligjin si një nga aktet më antishqiptare të miratuara nga një qeveri në vitet e fundit.
“Ky është ligji më antishqiptar që ka pasur ndonjë qeveri në vitet e fundit. Po përpiqen të dëshmojnë se mund të miratojnë ligje edhe pa ne. Ky është thelbi i asaj që ka ndodhur”, tha Osmani.
Duke e lidhur drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Ohrit, Osmani tha se ky proces përbën një “goditje historike” ndaj arkitekturës së shtetit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët. Unë do ta quaja këtë një goditje ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Ndoshta kjo tingëllon si një debat partiak-politik, por në fakt është një goditje historike ndaj themeleve, ndaj arkitekturës së shtetit që e kemi ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi ai.
Sipas tij, janë cenuar tri shtyllat kryesore të kësaj marrëveshjeje: balanca institucionale, përdorimi i gjuhëve dhe përfaqësimi i drejtë.
“Janë tri shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit. Nëse nuk ruhet ajo, prishet balanca. Gjuha po hiqet, tani po hiqet edhe përfaqësimi i drejtë. Dikush qëllimisht po përpiqet të na kthejë pas në vitet ’90”, tha Osmani.
Ish-kryediplomati vlerësoi se zhvillimet aktuale nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie më të gjerë politike.
“Ende nuk e kam të qartë qëllimin, por duket qartë se kjo është një strategji e përgatitur mirë. Ata mendojnë se tani ka ardhur koha. Skena politike maqedonase është konsoliduar, bashkësia ndërkombëtare është e shpërqendruar, amerikanët janë të angazhuar me çështje të tjera, evropianët me Ukrainën, ndërsa shqiptarët nuk kanë përfaqësim të fortë në pushtet”, u shpreh Osmani.
Ai paralajmëroi se cenimi i parimeve të Marrëveshjes së Ohrit rrezikon vetë modelin mbi të cilin funksionon shteti.
“Po goditni themelet e Maqedonisë së Veriut unitare. Nëse dikush e ka garantuar unitetin e këtij shteti, ai ka qenë Marrëveshja e Ohrit. Ajo e futi një popull që ishte jashtë sistemit në një sistem unitar. Kush e cenon këtë republikë?”, përfundoi Osmani.
