Me një analizë të gjatë dhe me tone të ashpra, ish-ministri i Shëndetësisë Azir Aliu ka drejtuar kritika të forta ndaj qeverisë për mënyrën se si është menaxhuar kriza e ujit në Gostivar, duke e akuzuar se ka prodhuar më shumë komunikata, konferenca dhe arsyetime sesa zgjidhje konkrete për qytetarët.
Në shkrimin e tij, Aliu vlerëson se një qeveri serioze nuk mund të justifikohet me raporte dhe deklarata, ndërsa qytetarët mbeten pa ujë të sigurt. Sipas tij, institucionet kanë dështuar ta kthejnë përgjegjësinë në veprim, ndërsa besimi i qytetarëve është cenuar nga mesazhet kontradiktore dhe mungesa e transparencës.
Duke iu referuar romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, Aliu krahason qeverisjen me një administratë që organizon mbledhje, harton raporte dhe flet për koordinim, por nuk arrin të zgjidhë problemet reale të qytetarëve. Ai thekson se komunikatat nuk e mbushin gotën me ujë dhe konferencat nuk e zëvendësojnë përgjegjësinë.
Në analizën e tij, Aliu argumenton se kriza në Gostivar nuk është një incident i izoluar, por pasojë e viteve të neglizhencës, mungesës së investimeve dhe dobësive të sistemit, duke kërkuar përgjegjësi politike, institucionale dhe menaxheriale.
Megjithatë, kritikat e tij kanë ngjallur reagime edhe për faktin se ato drejtohen ndaj një qeverie ku vetë Aliu ishte pjesë deri para pak kohe. Kjo e vendos ish-ministrin përballë pyetjeve edhe për përgjegjësinë e tij politike, ndërsa ai tashmë shfaqet si një nga kritikët më të zëshëm të ekzekutivit ku shërbeu.
Në fund të analizës, Aliu porosit se kur çezmat mbyllen, qeveria nuk duhet të prodhojë vetëm shpjegime, por siguri, besim dhe zgjidhje konkrete për qytetarët.
