Sefer Selimi i përgjigjet Mickoskit: Nëse Marrëveshja e Ohrit konsiderohet e skaduar, duhet rishqyrtuar kompromisi

Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe procesin e integrimit evropian, duke ngritur dilema për të ardhmen e kompromisit politik mbi të cilin është ndërtuar pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Selimit, Maqedonia e Veriut si shtet unitar multietnik është ndërtuar mbi dy shtylla themelore: Marrëveshjen e Ohrit dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ai vlerëson se Marrëveshja e Ohrit ishte alternativa ndaj ndarjes territoriale, duke garantuar karakterin unitar të shtetit përmes ndarjes së pushtetit, përfaqësimit të drejtë dhe mekanizmave të vendimmarrjes konsensuale.

Selimi argumenton se qeveria aktuale ka nisur të cenojë gradualisht këtë kompromis, duke përmendur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe mekanizmat që parandalojnë mbivotimin etnik. Në të njëjtën kohë, ai thekson se edhe perspektiva evropiane, e cila për më shumë se dy dekada ka qenë orientimi strategjik i vendit, ndodhet në një bllokadë politike pa një rrugëdalje të qartë.

Duke iu referuar deklaratave të fundit të kryeministrit Mickoski, Selimi thotë se trajtimi i Marrëveshjes së Ohrit si një marrëveshje e përfunduar dhe paraqitja si e pamundur e ndryshimeve kushtetuese për zhbllokimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian vënë në pikëpyetje dy kompromiset politike mbi të cilat shqiptarët kanë ndërtuar pozitën e tyre në shtet pas vitit 2001.

“Nëse Marrëveshja e Ohrit konsiderohet e skaduar, ndërsa perspektiva evropiane mbetet e bllokuar pa afat, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me një debat politik. Nëse ndryshojnë premisat mbi të cilat është arritur kompromisi, duhet të rishqyrtohet edhe vetë kompromisi”, shprehet Selimi.

Në fund, ai bën thirrje që partitë politike shqiptare, elitat akademike, shoqëria civile, diaspora dhe e gjithë shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut të hapin një debat serioz për pozitën e shqiptarëve në rrethanat e reja politike.

Back To Top